Veprim para krizës
Në këtë seri shkrimesh mysafire, që përbën pjesë të fushatës sonë të Veprimit për Klimën në Kosovë 2021, ftojmë ekspertët dhe rininë të ndajnë pikëpamjet e tyre
Egzona Shala është ambientaliste, e specializuar në Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit, me më shumë se një dekadë përvoje në avokim për mbrojtje të mjedisit tek brezat e ndryshëm. Ajo është e entuziazmuar të ballafaqohet me sfida, si dhe të përmirësojë jetesën tonë në tokë. Ajo ka sjellë në këtë postim mysafir në blog arsyet pse ndryshimet klimatike në Kosovë janë temë veprimi, e jo vetëm diskutimi. Aktivitetet e saj kanë bazë në komunitet, ndërsa ajo është e angazhuar fuqishëm në aktivitetet për të rritur angazhimin e Kosovës rreth klimës, në përputhje me angazhimet globale.
Nëna Natyrë është përpjekur të na tregojë diçka, nëse mund ta dëgjoni.
Të gjitha stuhitë, ndryshimet e motit dhe përmbytjet që i kemi dëshmuar në Kosovë janë britmat e natyrës për ndihmë. Sjellja dhe vendimet njerëzore që bëjmë çdo ditë po prishin baraspeshën. Natyra po shkon përtej aftësisë së saj për t’u shëruar.
Planeti ynë, me ndryshime të shpejta të motit, po tregon shpërqendrime të mëdha në kompleksitetin e tij. Ndryshimi i klimës nuk është virus, ku mund të mbyllemi në shtëpitë tona dhe të presim derisa të gjejmë shërimin. Kur të mos ketë më strehë për të na mbrojtur, e as ushqim për të ngrënë, as ujë për të pirë dhe as bimë për të dhënë oksigjenin, nuk do të ketë shtëpi në të cilat mund të fshiheni.
Ajo që ne si njerëz të zakonshëm mund të bëjmë është e madhe. Por veprimet tona kërkojnë konsistencë, si dhe duhet ta dimë se nëse nuk i ndërmarrim ato veprime TASH, nesër do të jetë tepër vonë. Duhet të riformësojmë kërkesat tona për energji (provo diellin dhe erën, janë të pastra, si dhe pothuajse falas). Duhet të përdorim më shumë këmbët, të qëndrojmë në këmbë, të ecim dhe të shëtitemi me biçikletë. Të qëndrojmë para SECILIT që injoron faktet dhe nuk dëgjon, të ecim për në punë dhe në shtëpi, të ecim me biçikletë në distanca të gjata dhe të kemi kujdes. Duhet të kujdesemi më shumë për planetin tonë, për shtëpinë tonë.
Po përballemi me ndikimet e para të ndryshimit të klimës, por së shpejti do të ketë fenomene më të mëdha e më spektakulare të natyrës. Duhet të veprojmë për të zbutur temperaturat në rritje dhe për të përshtatur stilin e jetës që kemi krijuar. Provoni të hani më pak mish, të blini më pak rroba dhe provoni të ripërdorni gjithçka që mundeni. Duhet të veprojmë si të pavarur dhe së bashku për planetin tonë, shtëpinë tonë.
Kalimi në "ekonominë e gjelbër" do të kërkonte investime masive qeveritare për dekarbonizim të plotë, i cili do të krijonte miliona "vende pune të gjelbra". Ndikimi do të ishte i madh, jo vetëm sepse gjelbërimi i ekonomisë do të sjellë vende të shumta pune në të gjithë sektorët, por edhe sepse vendet e gjelbra të punës do të sigurojnë që të gjithë punëtorët të mbështeten gjatë këtij tranzicioni. Investimi në një të ardhme të gjelbër nuk do të thotë vetëm mobilizim më i madh e financa më të mira për veprimet klimatike, por edhe përshpejtim të progresit, për të siguruar mundësi cilësore punësimi për të gjithë.
Adresimi i krizës klimatike paraqet po ashtu një mundësi unike për të definuar llojin e ekonomisë që funksionon për të gjithë - jo vetëm e tillë që largohet nga aktivitetet ekstraktive dhe ec drejt atyre rigjeneruese, por një ekonomi që përqendrohet gjithashtu në drejtësinë ekonomike dhe mjedisore.
Ajo që kërkojmë është ekonomia e qëndrueshme:
Ekonomi që plotëson nevojat e njerëzve tani dhe në të ardhmen; ekonomi që mbështet mjedisin natyror, derisa siguron edhe qasje të barabartë në të mirat mjedisore, si ajri dhe uji i pastër;
Ekonomi që mbështet njerëzit që varen nga ato të mira, duke promovuar punësime që mbajnë familjen;
Një e tillë që siguron dhe inkurajon vende pune që kontribuojnë në përmbushjen e këtyre qëllimeve.
Si e tillë, Kosova duhet të zhvillojë politika që ndihmojnë në përmbushjen e parimeve të qëndrueshme të ekonomisë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në të, një garanci për vende të gjelbra pune. Kosova duhet të ofrojë stimuj për të mbështetur bizneset e gjelbra (të tipit të riciklimit), të promovojë ekonominë qarkore, si dhe të zhvillojë politika punësimi që janë të qëndrueshme dhe të gjelbra.
Tranzicioni i Gjelbër ec krah për krah shkon me zgjidhjet demokratike, ashtu që ASKUSH të mos mbetet prapa.
Pikëpamjet e shprehura në këtë postim janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Kombeve të Bashkuara.
---------------------------------------------------------------------------------------
Çka po bëni për t’i luftuar ndryshimet klimatike? Bëni tweet në lidhje me këtë me hashtag #KosovoClimateAction. Ose kërkoni nga punëdhënësi juaj që të bashkohet me Zotimet Vullnetare
ANG: https://www.surveymonkey.com/r/GMKTKJ6