Teksa Kosova po Fillon Përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë, UNFPA-ja Mbështet Agjencinë e Statistikave në Konsultime Gjithëpërfshirëse me Palët e Interesit
UNFPA-ja mbështet Agjencinë e Statistikave në konsultime gjithëpërfshirëse me palët e interesit
Gjatë vitit 2023 Kosova pritet të kryejë regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Përtej rëndësisë së dukshme të regjistrimit për të dhënat demografike dhe rrjedhimisht qeverisjen dhe zhvillimin, procesi i pritur është edhe më i rëndësishëm marrë parasysh se ai ndodh jashtë intervalit të zakonshëm 10 vjeçar dhe në kontekstin e konsolidimit të vazhdueshëm të kornizës socio-ekonomike në Kosovë. Në bazë të mandatit dhe angazhimit të vet afatgjatë, UNFPA në Kosovë është angazhuar në mbështetje të plotë për Agjencinë e Statistikave të Kosovës – organi qendror përgjegjës – dhe palët e tjera të interesit që lidhen me procesin.
Sipas këtij nocioni, UNFPA e mbështeti Agjencinë në fillimin e përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë (REKOS 2023), me ç’rast Agjencia vendosi që puna të fillojë me një konsultim të gjerë me palët e interesit në mënyrë që të mbulohen të gjitha dimensionet, çështjet dhe aspektet relevante. Kështu, ndërmjet 8 dhe 11 nëntorit 2022, Agjencia e Statistikave organizoi të ashtuquajturën Javë të Regjistrimit të Popullsisë, duke u fokusuar në rëndësinë, metodologjinë, qasjet e zbatimit, përvojat rajonale dhe praktikat më të mira të kryerjes së një regjistrimi në shekullin e 21-të. Konferenca mblodhi një listë të gjerë të pjesëmarrësve, duke përfshirë ata nga institucionet dhe agjencitë ekzekutive kyçe qendrore dhe lokale të Kosovës, përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, profesorë dhe ekspertë në fushën e demografisë, shoqëria civile, gazetarë, hulumtues, dhe organizata të ndryshme shoqërore dhe komunitare. Veçanërisht, çdo ditë e konferencës ofroi edhe këndvështrime nga agjencitë statistikore të vendeve në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Duke theksuar rëndësinë e procesit për institucionet dhe popullin e Kosovës, konferencën e hapi kryeministri Albin Kurti. Ai theksoi rëndësinë vendimtare të regjistrimit për punën dhe planet institucionale, si dhe konfirmoi vëmendjen e plotë të Qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës për realizimin e suksesshëm të tij. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi shtoi se për REKOS2023 janë ndarë rreth 12 milionë euro nga Qeveria dhe theksoi përkushtimin e ekzekutivit për një proces gjithëpërfshirës të regjistrimit. Në përputhje me mandatin e saj, zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi theksoi nevojat dhe këndvështrimin e komuniteteve jo-shumicë, dhe mënyrën në të cilën po punohet në punën përgatitore.
Të pranishëm ishin edhe partnerët tanë kyç ndërkombëtarë. Udhëheqësi i bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Johannes Madsen, nënvizoi korrelacionin ndërmjet të dhënave demografike të siguruara nga një regjistrim dhe definimit të avancuar të politikave publike, që në fund të fundit janë edhe të dobishme për formimin e mbështetjes së BE-së për Kosovën. Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim në Kosovë Arnhild Spence theksoi gatishmërinë e agjencive të OKB-së për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse dhe për ta formësuar së bashku procesin drejt prodhimit të përfitimeve të prekshme nga Agjenda për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë.
Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko Nimani, e shtjelloi më tej mbështetjen e OKB-së për REKOS2023 duke nënvizuar pikat e shumta të veprimit që Agjencia e OKB-së për Popullsinë ka planifikuar në këtë kontekst. Ajo vuri në dukje se UNFPA-ja e kishte kënaqësi ta mbështeste Agjencinë e Statistikave të Kosovës në organizimin e javës së regjistrimit, e cila ofroi një platformë për konsultime të thelluara dhe thelbësore ndërmjet një game të gjerë të akterëve dhe partnerëve. Kjo qasje e gjithëpërfshirjes dhe pluralizmit të këndvështrimeve është vendimtare për saktësinë, besueshmërinë dhe suksesin e procesit të regjistrimit.
Java e Regjistrimit të Popullsisë, si një platformë unike konsultative, në fund të fundit shërbeu për ta informuar publikun e gjerë se Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë do të fillojë më 1 shtator 2023 dhe do të vazhdojë deri më 16 tetor 2023.