"8 Miliardë" në Kosovë: Bota e Mundësive të Pafundme
UNFPA dhe Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm që mbajtën një tryezë të rrumbullakët me palët e interesit për të reflektuar rreth politikave demografike
Kremtimi global i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara dhe agjencia e saj për popullsisë pati edhe etapën e tij në Kosovë, me UNFPA dhe Këshillin e Kuvendit të Kosovës për Zhvillim të Qëndrueshëm që mbajtën një tryezë të rrumbullakët me palët e interesit më 15 nëntor 2022 për të reflektuar rreth politikave demografike në Kosovë. Nën titullin “Bota e mundësive të pafundme”, tryeza ishte një mundësi për institucionet, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtare në Kosovë për reflektim rreth arritjeve demografike të dy dekadave të fundit, identifikim të sfidave ekzistuese, si dhe për gjetjen e mënyrave për t’i forcuar idetë e politikave për reziliencën demografike. Këshilli është organi koordinues i Kuvendit të Kosovës për sa i përket Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe kjo agjendë ishte natyrisht sfondi i diskutimit. Vëmendjen qendrore morën në veçanti OZHQ-të 3, 5 dhe 8, dhe caqet e tyre të lidhura, marrë parasysh rëndësinë e tyre të drejtpërdrejtë për temën.
Fjalimi qendror i eventit ishte ai i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Z. Konjufca nënvizoi aspektet e ndryshme të institucionit dhe të spektrit institucional të Kosovës në lidhur me reziliencën demografike dhe zhvillimin social. Ai theksoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe nevojën për përmirësime të mëtejshme të politikave dhe legjislacionit drejt barazisë dhe gjithëpërfshirjes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe kujdesit për personat dhe familjet në nevojë. Z. Konjufca theksoi se rinia kosovare është një aset i veçantë për zhvillim, por edhe që ka nevojë për vëmendje marrë parasysh trendin e reduktimit relativ të popullsisë në Kosovë. Në përfundim, ai shtoi se duhet të zbatohet një plan i përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës kombëtar për politikat demografike.
Kryesuesja e Këshillit të Kuvendit për Zhvillim të Qëndrueshëm, Fatmire Kollçaku, tha se pabarazia vazhdon në botë dhe se bota e zhvilluar e ka obligim t’i mbështesë të pazhvilluarit. Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim në Kosovë, Arnhild Spence, ofroi elementet kyçe të pasqyrës demografike globale dhe shembujt më të mirë të reziliencës demografike të ndjekura nga sistemi i OKB-së në mbarë botën, si dhe në Kosovë. Detaje të mëtejshme në këtë drejtim u dhanë nga udhëheqësja e zyrës së UNFPA-së, Visare Mujko-Nimani, e cila përmendi përpjekjet dhe programet e shumta historike dhe aktuale të UNFPA-së për forcimin e politikave institucionale dhe reziliencës sociale në Kosovë. Pjesëmarrësit patën mundësinë t’i dëgjojnë dhe diskutojnë këto çështje edhe me përfaqësuesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, akademikë dhe përfaqësuese të Rrjetit të Grave të Kosovës, duke i kushtuar vëmendjen e nevojshme këndvështrimeve të grave ndaj zhvillimit, politikave demografike dhe reziliencës.