Reportazh
05 gusht 2025
Rrugëtimi i një gjimnazisti, nga edukimi mediatik tek angazhimi social
Si shumica e bashkëmoshatarëve të tij, ai kalonte orë të tëra duke shfletuar internetin, duke konsumuar lajme në mënyrë pasive dhe përmbajtje të tjera që shfaqen në internet. Ai thotë se nuk kishte hulumtuar shumë. Kishte vetëm njohuri bazike mbi median dhe informacionin.Martini vendosi të ndiqte kursin “Bazat e Edukimit Mediatik – Të kuptuarit e Medias, Dezinformimit dhe Manipulimit”, i cili përbëhej nga katër punëtori.Përmes punëtorive, pjesëmarrësit mësuan si të dallojnë lajmet e rreme, si të kontrollojnë burimet dhe të kuptojnë mënyrat se si mediat mund të manipulojnë përmbajtjen. Ky kurs e shtyu Martinin të analizojë më shumë rolin e medias, të jetë më i vëmendshëm ndaj përmbajtjes që konsumon çdo ditë në internet, por edhe të rishikojë disa prej qëndrimeve të tij. Edukimi i të rinjve mbi përdorimin e përgjegjshëm të mediave mund të ulë ndjeshëm konfliktet në mes të rinjëve duke i ndihmuar ata të zhvillojnë aftësi për mendim kritik, të njohin dezinformimin dhe të komunikojnë me më shumë respekt si online ashtu edhe offline. Ky aktivitet është pjesë e një programi më të gjerë që fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet bashkëmoshatarëve, si dhe fuqizimin e shkathtësive të nxënësve për pjesëmarrje aktive në proceset vendimmarrëse. Duke kombinuar edukimin mediatik me këto kompetenca kyçe, programi nxit një mjedis shkollor më gjithëpërfshirës, më të përshtatshëm ku te rinjtë respektojnë njëri-tjetrin.Projekti Youth Empowered through Inclusive Schools and Societies (YESS), i mbështetur nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes (PBF), ka një qasje të bazuar në komunitet, duke përdorur shkollat dhe komunitetet e tyre përreth si pika hyrëse për të angazhuar vajza dhe djem të rinj, veçanërisht ata nga grupet e margjinalizuara të cilët nuk kanë qenë të përjfshirë në vendimmarrje. Projekti PBF “YESS” shtrihet në 11 komuna dhe 54 shkolla. Filloi në janar 2024 dhe deri më tani ka arritur më shumë se 8,600 nxënës dhe të rinj (60% femra) dhe gati 600 mësues (68% femra) shqiptarë, komunitetet serbe, goranë, boshnjake, rome, turke dhe kroate. Ndërhyrjet kanë përfshirë trajnime dhe punëtori për ndërtimin e kapaciteteve mbi zgjidhjen e konflikteve, ndërmjetësimin mes bashkëmoshatarëve, mendimin kritik dhe inteligjencën emocionale, si dhe aktivitete sensibilizuese, trajnime rezidenciale, sesione mentorimi, kampe rinore dhe kurse gjuhe.Për Martinin, këto punëtori ishin më shumë sesa aktivitete jashtëshkollore. Ato hapën mundësi të reja, të panjohura. “Punëtoritë më zgjeruan horizontin dhe më ndihmuan të dalloj se çfarë është informacion i saktë e çfarë jo,” thotë Martini. “Më parë i pranoja gjërat ashtu siç vinin, por tani analizoj dhe verifikoj informacionin. Ndihem sikur jam bërë më i matur nëpranimin e informatës,” shton ai.Tani, Martini nuk heziton të ngrisë zërin e tij, dhe të sigurohet që ai po dëgjohet, përdor argumente që di t’i mbështesë, dhe më e rëndësishmja, ndihet i fuqizuar dhe më i sigurt në diskutimet publike.“Tani e vërej shumë më shpejt kur dikush përpiqet të fshehë të vërtetën. E di që shikoj burime të shumta dhe nuk nxjerr përfundime menjëherë. Ndihem më i sigurt kur diskutoj tema që lidhen me median dhe informacionin. Nuk kam më frikë të shpreh mendimin tim, sepse kam argumente dhe di si t’i mbështes ato,” shpjegon Martini rreth rëndësisë së fuqizimit të të rinjve përmes kësaj qasjeje.Ai shton se njerëzit nga rrethi i tij, prindërit, mësuesit, shokët, kanë vënë re një ndryshim tek ai për shkak të pjesëmarrjes në këto aktivitete.“Ata e kanë vënë re ndryshimin”. Më thonë se jam më i matur dhe më me përgjegjësi, dhe disa madje kanë filluar të interesohen për temat që unë përmend. Janë krenarë për mua,” thotë Martini.Ai madje ua ka ndarë të tjerëve atë që ka dëgjuar dhe mësuar. “Kam folur me shokët; madje kam shpërndarë disa linqe dhe këshilla të dobishme që mora gjatë punëtorive.”Kjo, thotë ai, është përvoja më e rëndësishme nga pjesëmarrja në këto aktivitete.“Gjërat më frymëzuese për mua ishin kur kuptova se mund të ndikoj edhe tek të tjerët, kur ndava disa informacione të dobishme dhe pashë se të tjerët i morën seriozisht,” thotë ky gjimnazist simpatik.Martini mendon se është e rëndësishme që të rinjtë të kuptojnë si funksionon media dhe si të mbrohen nga dezinformimi. Ai beson se ky është një informacion që të gjithë e kanë të nevojshëm, dhe për këtë arsye ka një mesazh për bashkëmoshatarët e tij kur bëhet fjalë për programe të tilla:“Do t’u thosha të mos hezitojnë dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të mësuar diçka të dobishme. Këto programe mund të ndryshojnë vërtet mënyrën se si e shohim botën përreth nesh, për mua kanë qenë të tillë,” thotë Martini.Rrëfimi i Martinit është më shumë sesa një storie personale suksesi. Është rrëfimi i një djali të ri, nxënës gjimnazi, i përkushtuar për tu zhvilluar dhe edukuar dhe që përpiqet të përdorë dijen dhe shkathtësitë e fituara jo vetëm për zhvillimin e tij personal, por edhe për të mirën e mjedisit ku jeton. Përmes pjesëmarrjes në programe të ndryshme, Martini kontribuon aktivisht në krijimin e një shoqërie të fuqizuar, solidare dhe të arsimuar. Përmes edukimit, dialogut dhe programeve si projekti YESS, të rinjtë si Martini jo vetëm mësojnë si të kuptojnë median, por edhe bëhen promovues aktiv të paqes dhe mirëkuptimit në komunitetet e tyre.Përmes programit YESS, nga marsi deri në qershor, Kontakt Plus organizoi katër punëtori me temën “Bazat e Edukimit Mediatik – Të kuptuarit e Medias, Dezinformimit dhe Manipulimit”, për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme nga rajonet e Kamenicës, Shtërpcës, Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut.Pesëdhjetë e dy (52) nxënës nga shkollat e komunitetit serb në Kosovë morën pjesë në trajnimet mbi median dhe edukimin mediatik, me synim zhvillimin e mendimit kritik, kuptimin e përmbajtjes mediatike dhe aftësinë për të njohur dezinformimin. Gjatë punëtorive, nxënësit patën mundësi të njiheshin me analizën e përmbajtjes mediatike, si dhe me përdorimin e përgjegjshëm të rrjeteve sociale. Trajnimi është konceptuar për t’u ofruar të rinjve mjetet e nevojshme që të orientohen në mjedisin modern të informacionit dhe të kontribuojnë në pjesëmarrjen e tyre më aktive dhe të informuar në shoqëri.Ligjëruesi, Profesori i Sociologjisë Slobodan Miljković, theksoi se edukimi mediatik sot është po aq i rëndësishëm sa arsimi fillor, sepse fëmijët dhe të rinjtë janë vazhdimisht në kontakt me një sasi të madhe informacioni që mund të formësojë mendimin dhe sjelljen e tyre çdo ditë.Ai beson se këto lloj punëtorish janë thelbësore, sepse përmes edukimit joformal trajtohen tema shumë të rëndësishme.“Nxënësit, përmes punës spontane, bisedës, ndarjes së mendimeve, në mënyrën më të mirë të mundshme përvetësojnë njohuri të caktuara, të cilat më pas bëhen pjesë e identitetit dhe mendimit të tyre kritik,” thotë Miljković. Ai shton se nuk duhet të ekzistojë një model i caktuar se çfarë duhet të dinë fëmijët për edukimin mediatik, por duhet punuar për ndërtimin e mendimit kritik tek nxënësit, në mënyrë që ata të jenë në gjendje të njohin vetë manipulimin dhe lajmet e rreme nga ato të vërteta.“Është një proces mbi të cilin duhet punuar, në mënyrë që të kemi një mjedis dhe një shoqëri të shëndetshme. Pikërisht sepse media është gjithandej, dhe fëmijët janë vazhdimisht në telefonat e tyre, ndërsa interneti është një platformë që u lejon të gjithëve të jenë në rolin e gazetarëve, por edhe të konsumatorëve të lajmeve,” përfundon Profesori Miljković, i cili përgatiti dhe udhëhoqi punëtoritë.PBF “YESS” mbështetet nga programi i UNICEF-it në Kosovë në partneritet me Fondin e OKB-së për Ndërtimin e Paqes, Ekipin e OKB-së në Kosovë dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
